Për herë të parë, ish-kryeministri Sali Berisha pritet të paraqitet në SPAK. Ai është thirrur për t’u marrë në pyetje për aferën Partizani, ndërsa avokati i tij, Sokol Mëngjezi, konfirmoi se Berisha do të shkojë në SPAK.
Prej tre javësh Berisha ndodhet në arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’, ndërsa po hetohet për korrupsion pasiv. Seanca pritet të mbahet në orën 10:00.
Dy ditë më pas, më 25 janar, SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje edhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në hetim edhe për pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Mes këtyre 2 datave, pritet një zhvillimi rëndësishëm. Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi do të shqyrtojë kërkesën e Berishës për heqjen e “arrest shtëpie” dhe përjashtimin e Irena Gjokës, gjyqtares që ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj ish-kryeministrit.
SPAK kishte thirrur Berishën më 17 janar për t’u marrë në pyetje, ndërsa Malltezin më 18 janar, por më kërkesë të avokatëve mbrojtës marrja në pyetje u shty. Ish-kryeministri u vendos në arrest shtëpie pasi theu masën e sigurisë detyrim paraqitjeje disa herë.