NË TOTAL, 67 PREJ VIKTIMAVE MENDOHET SE JANË GJERMANË NDËRSA 45 JANË SPANJOLLË. 16 nxënës të një shkolle gjermane janë mes viktimave të aksidentit të së mërkurës, të cilët bashkë me dy mësuesit e tyre po ktheheshin nga një udhëtim nëntë ditor në Barcelonë.Për një shaka të hidhur të fatit, të gjithë mund të kishin shpëtuar, pasi u zbulua se një prej nxënësve kishte harruar pasaportën në shtëpinë ku kishte qendruar.
Për të mos lejuar që ajo bashkë me shokët e saj të humbisnin fluturimin, familja mikpritëse ishte vetëofruar që ta shoqëronte me makinë deri në aeroport për të kapur fluturimin në kohë. Pa e ditur që ai fluturim do të ishte i fundit për të dhe viktimat e tjera. Në gjimnazin “Mbreti Jozef” në qytezën Haltern am Zee në perëndim të Gjermanisë, qindra nxënës, mësues dhe banorë ishin mbledhur për të vajtuar dhe ngushëlluar njeri-tjetrin. Kryebashkiaku i qytezës, Bodo Kimpel, tha se edhe pse pas njoftimit për një aksident mësimi u mbyll para kohe, ata u rikthyen pasdite për të vendosur tufa me lule dhe ndezur qirinj në respekt të shokëve të humbur. Mesazhe ngushëllimi familjarët e viktimave kanë marrë edhe nga futbollisti i kombëtares gjermane, Benedikt Hoëedes, i cili ka lindur pikërisht në këtë qytezë, ndërsa skuadra do të mbajë një minutë heshtje dhe një shirit të zi në krah në miqësoren që do të luajë sonte kundër Australisë. Edhe në qytezën e vogël spanjolle, Linars de Vales, ku nxënësit kaluan ato që do të ishin ditët e fundit të jetës, banorët organizuan një meshë në kujtim të tyre. Në total, 67 prej viktimave mendohet se janë gjermanë, ndërsa zyra e Kryeministrit spanjoll konfirmoi se 45 janë spanjollë. Dy kolumbianë, dy australianë, nënë e bir, disa britanikë dhe një holandez, një turk dhe një danez janë konfirmuar nga qeveritë respektive. Mes viktimave raportohet të jenë edhe dy këngëtarët e operas, Maria Rander dhe Oleg Brijak, emra të rëndësishëm në skenën e muzikës klasike europiane.