Gjykata e Lushnjës ka lënë në burg 19-vjeçarin Fisnik Halili, djali nga Cërriku, i cili akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 11-vjeçare nga Toshkëzi i Lushnjës. Në një komunikatë për mediat, avokatja e tij mbrojtëse Eva Gjeta, tha vendimi është i padrejtë pasi djali nuk ka kryer marrëdhënie me të miturën. Madje ajo shkon edhe më tej, duke befasuar me deklaratën e saj, ndërsa pohon se djali e kishte marrë në banesë vajzën pasi kishte qëllime serioze, ndërsa nënvizoi faktin se ai nuk e dinte që ajo ishte 11 vjeçe.
“Sapo dola nga ambientet e gjykatës ku u vlerësua seanca gjyqësore. Nga ana e organit të akuzës nuk u paraqit asnjë provë që të provohet fakti që i mbrojturi prej meje të ketë konsumuar një nga vepra për të cilat akuzohet. Por gjykata vendosi që të vendoset masa ‘arrest me burg’. Për ne ky është një vendim i pambështetur në prova. Djali nuk pranon të ketë kryer marrëdhënie seksuale. Ai thotë se e ka njohur prej një jave e ka marrë në shtëpi për qëllime serioze dhe në asnjë moment nga vajza nuk i është bërë me dije se ka qenë një e mitur.”- tha avokatja.
Ngjarja e rëndë u denoncua një ditë më parë nga prindërit e vajzës, ndërkohë që policia arrestoi 19-vjeçarin. Tashmë do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të tregojë nëse është abuzuar apo jo me vajzën e mitur.