Në burg për ilaçet e motrës
Tentativa për të bindur të motrën që të pinte ilaçet e depresionit, i ka kushtuar 1 vit burgim të vëllait. Në kushtet kur e motra nuk pranonte të pinte ilaçet. Leon Hasrama, ka vendosur të përdorë dhunën psikologjike dhe atë fizike për ta bindur. Por ka mjaftuar një denoncim në polici dhe çështja familjare do të kthehej në penale. E motra e denoncoi në polici për dhunën e ushtruar dhe pas një hetimi dhe gjykimi të shkurtër, Leon Hasrama u gjend përballë vendimit penal të Gjykate së Tiranës që dënon me 1 vit burgim për akuzën e dhunës në familje. I pyetur si person nën hetim, i pandehuri ka sqaruar se kallëzuesen e ka motër dhe ajo vuan nga probleme depresive dhe kurohet. “Ditën e ngjarjes unë i kam qëlluar me shpullë në fytyrë pasi nuk pranonte të pinte ilaçet dhe më qëllonte duke bërtitur”. Por as ky sqarim dhe as aktet noteriale te familjes se marrëdhënia mes tyre është normalizuar dhe se bëhej fjalë për një konflikt familjar, ku secili nga palët ka përgjegjësitë e veta, nuk e shpëtuan dot Hasramën nga dënimi penal, pasi ligji aktual për dhunën në familje nuk merr parasysh normalizmin e marrëdhënieve apo edhe tërheqjen e padisë nga kallëzuesi. E vetmja mase lehtësuese, nëse mund të quhet e tillë, është fakti që vendimi specifikon që vuajtja e dënimit do të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme.