Në Dukagjin bora shkon deri në 1 metër
Dukagjini është një nga zonat më të goditura nga reshjet e dëborës dhe ngricat e ditëve të fundit. Udhëtimi drejt kësaj zone të thellë malore mbetet një sfidë më vete, ndërsa rruga është e rrezikshme në verë, e jo më në mes të dimrit ku dëbora varion nga 50 cm deri në 1 metër. Zinxhirët janë një domosdoshmëri kur merr rrugën për në Dukagjin, por edhe ata kryejnë funksion deri në një pike, pasi kur trashësia e dëborës rritet e ngricat bëhen më të forta, automjeti nis të rrëshqasë edhe me to. Segmenti Kir- Mali i Shoshit në drejtim të Breg lumit është më i vështiri, e ku nga kjo pikë rruga mund të bëhet vetëm në këmbë pasi nuk ka alternativë tjetër. Firmat kontraktuale kanë punuar për të mbajtur hapur rrugën por reshjet dhe kushtet atmosferike e vështirësojnë së tepërmi. Këshilltari bashkiak Mark Rupa i cili është edhe banor i zonës thotë se vetëm rrugë kjo nuk mund të quhet, ndërsa shton se nevojat e banorëve janë të mëdha. Banorët e zonës së Pultit dhe të Shalës së Dukagjinit sqarojnë për vështirësitë me të cilat përballen, ku përveç mungesës së energjisë elektrike prej disa ditësh, ata nuk kanë as mjekë e infermierë. Aktualisht në Malësinë e Dukagjinit jetojnë rreth 400 familje të cilat përballen me acarin dhe bllokimet e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me rrugën kryesore e cila gjatë dimrit bllokohet plotësisht, duke i izoluar edhe me muaj të tërë këta banorë.