Në zgjedhjet lokale që mbahen ditën e sotme, në tre bashki të vendit do të votohet elektronikisht. Bëhet fjalë për Elbasanin, Kamzën dhe Vorën ku janë shpërndarë pajisjet elektronike të votimit ndryshe nga bashkitë e tjera ku votohet me fletë votimi.

Votimi elektronik do të bëjë të mundur edhe sigurimin e rezultatit menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke bërë që rreth 30 minuta më pas të mësohen kryebashkiakët dhe këshilltarët bashkiakë të zgjedhur. Votimi si në qendrat e votimit në bashki të tjera, nis në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00 të darkës.

Për herë të parë ky lloj votimi elektronik u testua në zgjedhjet parlamenptare të 25 prillit të vitit 2021 në shkollën ‘Jakov Xoxa’ në Fier dhe njësinë nr.10 në Tiranë.

Më pas në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, ky votim elektronik u shtri edhe në bashkinë e Vorës. Të martën që kaloi, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ishte në Elbasan ku demonstroi nga afër për qytetarët sesi mund të votojnë në 14 maj, për t’i siguruar se vota e tyre do jetë e fshehtë dhe e sigurt.

Artikulli paraprakZGJEDHJET LOKALE, NË GARË 144 KANDIDATË PËR KRYEBASHKIAKË DHE 23 763 PËR KËSHILLTARË
Artikulli tjetërSKEDA/ SI DHE KË MUND TË VOTONI SOT, 144 KANDIDATË NË GARË PËR 61 ‘FRONE’ LOKALE, PËRBALLJET NË TË GJITHA BASHKITË E VENDIT!