Ky sezon veror nuk do të jetë një muaj pushimesh për efektivët e Policisë së Shtetit. 45 gradat e para drejtuese në polici me në krye Ardi Veliun prej fund korrikut do të përballen me seanca dëgjimore nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

I pari që pritet të nis seancat dëgjimore për tu njohur me gjetjet e hetimit është kryepolici Ardi Veliu e më pas zv.drejtuesit në Drejtori të Përgjithshme dhe drejtorët e qarqeve.

Vettingu do të kryhet përgjatë kësaj vere edhe për drejtuesit e Policisë Rrugore, drejtuesit e Kufirit si dhe ata të Gardës dhe Reparteve Speciale.

Në krye të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit është zgjedhur ekonomistja Ana Kapaj ndërsa 45 gradat e para janë ndarë për nga 5 grupe komisionesh me tre anëtarë.

Ku do të zhvillohen seancat dëgjimore?

Një burim pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit në Policinë e Shtetit pohon se këto seanca do të mbahen në të njëjtën sallë pranë Pallatit të Kongreseve ku zhvillohen ato për gjyqtar e prokurorë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

45 efektivët e parë të cilët i përkasin rangut drejtues përgjatë këtyre javëve janë duke komunikuar me Komisionin e Jashtëm për plotësimin e dokumenteve, për përgjigje të pyetjeve sqaruese si dhe për të dhënat e tyre të cilat në disa raste kanë rezultuar jo të plota, sqaruan të njëjtat burime.

Prej nisjes së këtij procesi nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa ligji për vettingun në Policinë e Shtetit u amendua për t’i hapur rrugë që pas 45 gradave të para të vazhdohet me kontrollit për efekt të këtij procesi nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për pjesën tjetër të trupës policore.

Artikulli paraprakDY TË ARRESTUAR NË LEZHË, ISHIN NË KËRKIM PËR TRAFIK DROGE DHE DHUNË NË FAMILJE
Artikulli tjetërFLUKS NË MORINË, TURISTËT NGA KOSOVA E MAQEDONIA PUSHIME NË BREGDETIN SHQIPTAR