Në hundën e avionit gjenden 430 000 $ kokainë
Trafikantët gjejnë mënyra nga më të çuditshme për të trafikuar drogën dhe Kolumbia si një nga prodhuesit më të mëdhenj nuk mbetet pas në këtë drejtim. Plot 30 kg kokainë u gjet në pjesën e përparme të një avioni Boeing 757, i cili udhëtoi nga Bogota, kryeqytet i Kolumbisë për në Miami në Shtetet e Bashkuara. Lënda narkotike u gjet në aeroportin ndërkombëtar të Tulsa-s të dielën pasdite. Aeroplani u ul në Tulsa për shkak se mekanikët e aeroportit të Miamit ishin shumë të zënë me punë. Vlera e drogës kap shifrën nga 200 mijë dollarë deri në 430 mijë dollarë. Hetuesit fillimisht zbuluan pesë kallëpe drogë dhe dy të tjera u gjetën më pas. Droga ishte fshehur në ‘hundën’ e avionit. Lënda narkotike ishte mbështjellë mirë me gomë të shkrirë, një mënyrë kjo për të shmangur nuhatjen nga qentë. Autoritetet nuk dinë se kush është dërguesi, por sigurisht bëhet fjalë për kartelet e drogës.