Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është vënë në prangat e policisë së Shkodrës.

Edmond Çomo, 42 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe u arrestua gjatë pasdites së djeshme, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia. Ndaj tij u bë pasi Gjykata e Leçes në Itali ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

Në shtetin italian 42-vjeçari njihet si anëtar i grupeve të rrezikshme të krimit të organizuar si dhe është i dënuar më parë po në këtë shtet. Ndalimi i tij nga ana e autoriteteve shqiptare u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërkohë që materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Ai akuzohet se ka grabitur pronarin e një restoranti në Leçe. Shqiptari ishte liruar nga burgu i Vogheras në muajin prill të vitit 2016, ku kishte shlyer dënimin prej 16 vite burg për trafik ndërkombëtar kokaine dhe përfshirjen në një shkëmbim zjarri në vitet ‘90.

I pa pajisur me dokumente italiane, ai qëndroi për një muaj në një qendër pritjeje për emigrantët në Torino pas daljes nga burgu, e më pas grabiti italianin dhe vendosi të kthehej në Shqipëri. 42-vjeçari është në pritje të një dënimi me 13 vite burgim nga një gjykatë në Reggio Calabria, për krime të kryera me porosi të organizatës famëkeqë mafioze “Ndrangheta”.

Artikulli paraprak“LISTË DËSHIRASH”, REAGON DEPUTETI GURAKUQI
Artikulli tjetërKRYEMINISTRI RAMA NIS DITËN ME PLAZHIN E VELIPOJËS