Shtohet numri i ndeshjeve, që kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë në stadiumin “Loro Boriçi”.

Pas miqësores me Marokun, më 31 gusht dhe ndeshjes eliminatore për Kupën e Botës 2018, atë ndaj Maqedonisë, më 5 shtator, edhe një tjetër ndeshje është e sigurtë se do të luhet në këtë stadium, brenda këtij viti. Bëhet fjalë për atë Shqipëri-Izrael, e planifikuar të luhet më 17 nëntor. Themi kështu, pasi ditën e djeshme, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Izraelit kanë qenë në Shkodër për të inspektuar stadiumin, por edhe për të parë hotelet ku mund të akomodohet kombëtarja e tyre në pragndeshje. Ata kanë qenë të shoqëruar nga përfaqësues të FSHF-së dhe së bashku kanë marrë informacionin që kanë dashur. Në këtë mënyrë “Loro Boriçi” gradualisht do të shndërrohet në “shtëpinë” kryesore të kombëtares kuqezi. E vetmja dilemë që ka mbetur për t’u sqaruar është vetëm ajo e ndeshjes së tetorit me Spanjën, për të cilin ende nuk ka një vendim se ku do të luhet, në Shkodër apo Elbasan. Megjithatë, me shumë siguri do të luhet në “Loro Boriçi”, edhe për shkak të kapacitetit më të madh të tij.

Artikulli paraprakVLLAZNIA “LËVIZ” NË MERKATO, PRITET EDHE NJË SULMUES
Artikulli tjetërKOALICIONI QEVERISES, RAMA: KEMI KONTRATE 4 VJECARE