Në makine iu gjetën 308 gramë kokainë, arrestohet 34 vjeçari
Një 34 vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Tiranës, pasi është kapur me 308 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Në pranga përfundoi Krenar Liçi, banues në kryeqytet, i cili u arrestua në flagrancë në afërsi të Kinostudios. “Në bazë të informacioneve që disponoheshin, se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, nga Specialistët e Seksionit për Narkotikët është bërë e mundur kapja e tij në flagrancë, në afërsi të zonës së Kinostudios, ku në automjetin tip ‘Volkswagen’, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 308 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë”, sqaron Policia e Tiranës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotike”.