Mbi 1000 familje në fshatin Grudë e Re, rreth 3 km larg qytetit të Shkodrës, e blejnë ujin e pijshëm.
Disa udhëtojnë dhjetëra km për ta siguruar atë e ndërsa pak të tjerë e kanë zgjidhur problemin përmes ujit të puseve. Për familjet në Grudë të Re uji vjen me orare të caktuara, një herë në 4 apo 5 ditë. Pjesa më e madhe e banorëve nuk kanë as ujë pusi. Ata e kërkojnë tek fqinjët ujin për përdorim të përditshëm.
Problemi i Grudës së Re është i njëjtë prej 27 vitesh. Banorë që kërkojnë ujë për të plotësuar nevojat familjare dhe drejtues institucionesh që premtojnë vetëm gjatë fushatave elektorale. Pak javë më parë, problemi i ujit të pijshëm në fshatin Grudë e Re u duk sikur mori zgjidhje, kjo pasi prefekti i qarkut Shkodër u angazhua që të ndërhyjë për të lejuar shpërndarjen e ujin nga burimi i Rrjollit në Malësinë e Madhe.
As kjo nuk e ka zgjidhur problemin e madh dhe të trashëguar në këtë zonë. Në një situatë të njëjtë sa i përket ujit të pijshëm janë edhe fshatrat Golem, Bardhaj e Bleran në Njësinë Administrative Rrethina të Shkodrës.