Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një reagim për arrestimin e një 27 vjeçari në Tiranë pasi përndoqi një vajzë për disa muaj bëri thirrje kundër dhunës me bazë gjinore.
“Stop dhunës me bazë gjinore. Ta ngacmosh një vajzë në rrugë është dhunë. Ta përndjekësh është dhunë. Ta ndalosh të shkojë në punë është dhunë”, theksoi Balla.
“Viktimat e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore duhet të mbrohen dhe trajtohen me dinjitet e respekt. Është detyra jonë, është detyra e Policisë së Shtetit të rrisim vigjilencën dhe ta adresojmë me vendosmëri dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrim masat për të parandaluar dhunën ndaj vajzave, grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit”, theksoi Balla në një postim në rrjetet sociale.
Balla nënvizoi se, viktimat e dhunës nuk duhen stigmatizuar, por duhet t’ju ofrojmë mbrojtje, mbështetje dhe riintegrim të plotë në punë dhe shoqëri.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave ka shumë forma. Prandaj nuk duhet më asnjë justifikim për dhunën ndaj grave”, theksoi Balla.