15 vjeçarët në Shqipëri shënuan nivel më të ulët se mesatarja e OECD-së në lexim, matematikë dhe shkencë në testimin global të njohurive nga anketa PISA 2018, por rezultatet treguan se vetëm 2 për qind e nxënësve shqiptare shkëlqejnë në matematikë dhe shumë pak në literaturë.
Në Shqipëri, 48% e studentëve arritën të kapin nivelin e dytë të aftësisë për të lexuar (mesatarja e OECD: 77%). Ky është një nivel minimal, ku studentët mund të identifikojnë idenë kryesore në një tekst me gjatësi të moderuar, të gjejnë informacion bazuar në kritere të qarta, megjithëse nganjëherë komplekse, dhe mund të reflektojnë mbi qëllimin e teksteve.
Vetëm një përqindje e papërfillshme e nxënësve në Shqipëri ishin interpretues të mirë në lexim, që do të thotë se ata arritën nivelin 5 ose 6 në testin e leximit PISA nga mesatarja e OECD: 9%).
Në këto nivele, studentët mund të kuptojnë tekste të gjata, të merren me koncepte që janë abstrakte ose intuitive, dhe të krijojnë dallimet midis faktit dhe mendimit, bazuar në sugjerime që kanë të bëjnë me përmbajtjen, ose burimin e informacionit.
Nga anketa e PISA, vetëm 58% e studentëve në Shqipëri kanë arritur nivelin 2 ose më të lartë në matematikë (mesatarja e OECD: 76%). Këta studentë mund të interpretojnë dhe të njohin, pa udhëzime të drejtpërdrejta, p.sh duke krahasuar distancën totale në dy alternativa rruge, ose konvertimi i çmimeve në një monedhë të ndryshme.
Pjesa e studentëve 15-vjeçarë, që kanë arritur nivelet minimale të aftësisë në matematikë (Niveli 2 ose më i lartë) ndryshuan gjerësisht – nga 98% në Pekin, Shanghai, Jiangsu dhe Zhejiang (Kinë) deri në 2% në Zambia, e cila mori pjesë në PISA. Mesatarisht në të gjithë vendet e OECD, 76% e studentëve kanë arritur në zotërimin e nivelit në matematikë që është minimumi i njohurive.
Në Shqipëri vetëm 2% e nxënësve arritën nivelin 5 ose më të lartë në matematikë (mesatarja e OECD: 11%). Përqindja më e lartë e nxënëseve të shkëlqyer në matematike ishte në Pekin, Shanghai, Jiangsu dhe Zhejiang (Kinë) (44%), Singapor (37%), Hong Kong (Kinë) (29%), Macao (Kinë) (28%), Taipei Kinez (23%) dhe Koreja (21%). Këta studentë mund të modelojnë situata komplekse në mënyrë matematikore dhe mund të zgjidhin dhe krahasojnë strategjitë e duhura për zgjidhjen e problemeve për trajtimin e tyre.
Rezultati i përgjithshëm
PISA, një instrument i vendeve në OECD, që mat performancën e 15-vjeçarëve në matematikë, lexim dhe shkencë, e renditi Shqipërinë në vendin e 61-të, në mesin e 79 vendeve që morën pjesë në testimin e vitit 2018. Shqipëria u rendit në fashën e dytë, me përgatitjen më të ulët nga pesë fashat e kategorizuara, ku në të pestën u grupuan vendet që spikasin me njohuritë më të larta të 15-vjeçarëve dhe fasha numër 1 me njohuritë më të ulëta.
Në rajon, Shqipëria ka një renditje më mirë se Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë një renditje më të mirë se Shqipëria. Rezultatet e PISA 2018 treguan se 15-vjeçarët e Shqipërisë morën 437 pikë nga 600 pikët e mundshme në testin e matematikës. Shqipëria përmirësoi rezultatin në raport me testimin e vitit 2015 në matematikë me 24 pikë. Vendi ynë, mori në matematikë një vlerësim më të ulët se mesatarja e OECD, e cila u përllogarit me 489 pikë.
Në aftësitë e të lexuarit, Shqipëria u vlerësua me 405 pikë nga 600 të mundshme, duke mbajtur të njëjtin rezultatet me vitin 2015. Edhe në lexim të rinjtë e Shqipërisë shfaqin aftësi më të ulëta se mesatarja e OECD-së e cila ishte 487 pikë. Në shkencë, 15-vjeçarët shqiptarë morën 417 pikë ose 10 pikë më pak se në vlerësimin e vitit 2015. Mesatarja e nxënësve të OECD në shkencë ishte 489 pikë.
Një nga gjetjet kryesore të testit PISA tregoi se niveli i mirë ekonomik i një vendi jo domosdoshmërish përkthehet në njohuri të mira arsimore. Kina, me katër rajone të saj, ishte e para në klasifikimin PISA 2018. Kinezët jo vetëm që kishin rezultatet më të mira në lexim, matematikë dhe shkencë, duke marrë gati pikët maksimale por ata kishin diferencë shumë të lartë me vendin të dytë në renditje me Singaporin me mbi 40 pikë në të gjitha testimet.
Katër vendet e para në aftësitë arsimore i shfaqën vendet aziatike si Kina, Singapori, Macao, Hong-Kong. Ndërsa në Europë, vendin e parë në PISA 2018 e zuri Estonia. Rezultatet treguan edhe në Europë se të ardhurat për frymë dhe investimet në arsim nuk janë mjeti kryesor për rezultate të larta.
Estonia investon për arsimin 30% më pak se mesatarja e OECD. Kosova u rendit e treta nga fundi, me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë, duke lënë pas vetëm Filipinet dhe Republikën Domenikane.