Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se akti normativ për paketën “Anti-KÇK” do të kalojë në Kuvend, pasi sipas tij, ka mbështetjen e shqiptarëve dhe të partnerëve ndërkombëtar.

Duke folur për media, Balla tha se në skanerin e “Forcës së Ligjit” do të kalojnë të gjithë personat, që e kanë ngritur pasurinë e tyre nga aktiviteti kriminal, apo që kanë me terrorizmin, duke paralajmëruar se ditët dhe javët në vijim do të ketë goditje të çdo lloj pasurie, që mund të fshehë lidhje me terrorizmin.

“Përgjigjja është në Kushtetutë. Akti normativ miratohet ekzakt, siç ka ardhur. Duhet të kuptoni që grupi i PS e mbështetë tërësisht aktin normativ, propozuar nga qeveria e Ramës, dhe është një hap i rëndësishëm, i cili çdo ditë që kalon ka mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, si dhe të partnerëve të rëndësishëm të Shqipërisë. Qoftë në takimin me Merkel, qoftë në takimin me Pompeo, kjo paketë jo vetëm është prezantuar, po ka gjetur mbështetjen e partnerëve.

Kjo është një garanci më shumë për ta çuar luftën dhe goditjen kundër krimit të organizuar në një nivel të ri të paparë deri më tani në Shqipëri. Fakti që fokusi i kësaj goditje janë asetet e siguruara përmes veprimtarive kriminale, iu garantoj që ky aksion do të ketë sukses dhe prej tani e tutje askush nuk do t’i shpëtojë sitës së operacionit “Forca e Ligjit’.

Akti normativ do të kalojë ashtu siç ka ardhur, sepse është domosdoshmëri, që i bën mirë Shqipërisë dhe rrugës evropiane. Më vjen keq që rikonstatoj një vetëvrasje politike të opozitës, që kundërshton këtë akt, pra një stad të ri të luftës kundër krimit dhe terrorizmit.

Fokusi i ligjit është edhe asete, apo llogari bankare, apo pasuri të tjera, që mund të jenë ngritur, nën mbështetjen e personave të lidhur me terrorizmin. Skaneri i këtij operacioni do të vijojë po njëlloj. Mos u habisni kur në ditët në vijim të keni goditje apo skanim të çdo lloj pasurie, që mund të fsheh lidhje me terrorizmin”, tha Balla.

 

Artikulli paraprakJA KUSH JANË DY PERSONAT E TJERË QË OFL KËRKON DEKLARIMIN E PASURISË
Artikulli tjetërARDI VELIU PARA VETTINGUT: KAM PRENOTUAR APARTAMENT 79 MIJË EURO…POR AKTUALISHT JETOJ ME GRUAN ME QIRA