Kryetari i SYRIZA dhe ish-kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka folur në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa ka theksuar se vendi ynë duhet të plotësojë detyrimet ndaj minoritetit grek.
Cipras ka thënë sot në Paris se BE duhet ë mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në mënyrë që të mos krijojë destabilitet dhe të forcojë forca të treta, të cilat pengojnë integrimin e këtyre vendeve.
“BE nuk mund të ketë rol gjeopolitik ndërkombëtar dinamik nëse nuk aplikon një strategji të besueshme në rajonin e saj, duke mbështetur plotësisht Marrëveshjen e Prespës. Periudha pas ngrirjes së procesit të integrimit të vendeve Ballkanike, në vitin 2014, shkaktoi destabilizim në rajon dhe fuqizimin e fuqive të treta në dëm të BE-së.
Duhet shfrytëzuar dinamika e Marrëveshjes së Prespës, që ngjalli një tjetër impakt në Shqipëri dhe në dialogun me Kosovën, ndryshe BE do të përballet me situata shumë më problematike, destabilizimin e rajonit, ndërsa do të shtohen ndjeshëm emigrantët e Ballkanit Perëndimor në Europë.
Kohezioni i BE-së dhe procedurat integruese rezultative amplifikohen me fuqizmin e metodologjisë, sipas propozimeve zyrtare të BE-së, bazuar në vlerat dhe parimet europiane për një Europë më sociale, jo me pezullimin e integrimit.
BE duhet të mbështesë liderët dhe popujt e rajonit, sidomos kur janë të gatshëm të marrin vendime të guximshme e të zbatojnë reformat, në rast të kundërt thjesht ofrojmë hapësirë e justifikueshme për nacionalizmin dhe autoritarizmin”, ka deklaruar Cipras.