Presidenti Ilir Meta ka folur sot për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Meta deklaroi se vendi duhet të përqendrohet në thellimin e reformave për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe.

Duke shprehur bindjen se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave, Kreu i Shtetit theksoi se duhen evituar të gjitha polemikat për t’u përqendruar në objektivin e integrimit evropian.

“Të përqendrohemi në thellimin e reformave për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe. I bindur që i kemi të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave.

Të evitojmë çdo lloj polemike e të përqendrohemi në objektivin e integrimit evropian”-u shpreh Ilir Meta, President i Republikës

Meta e bëri këtë deklaratë nga qyteti i Përrenjasit, ku ndodhet për një vizitë. Ai është pritur në sheshin kryesor të qytetit nga kryetarja e bashkisë, Miranda Rira, dhe është takuar me dhjetëra banorë.

Presidenti mori pjesë në inaugurimin e çerdhes së qytetit të rikonstruktuar me fondet e shtetit të Turqisë, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori turk, Ahmet Yoruk. Ky i fundit vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve.

“Tejet i kënaqur të jem sot në krah të Presidentit Meta, personalitet e mik i madh i Turqisë. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona, shume te ngushta e vëllazërore”-u shpreh Ahmet Yoruk, ambasadori i Turqisë në Tiranë

Artikulli paraprakUJËSJELLËSI KA NJË NJOFTIM TË RËNDËSISHËM PËR BANORËT E SHKODRËS
Artikulli tjetërPRESIDENTI I PE: MBËSHTES HAPJEN E NEGOCIATAVE, DO SHQYRTOJMË REKOMANDIMIN