Teksa negociatat për rikthimin e Kuvendit në normalitet kanë nisur, kryeparlamentarja Lindita Nikolla do të ulë sot në orën 13:30 në tryezën e Konferencës së kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçin dhe Gazment Bardhin. Ky i fundit dy orë më herët ka thirrur një takim me grupin e deputetëve.
Bardhi nuk i është bashkuar prej thuajse 5 muajsh mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve, por bisedimet mund ta rikthejnë atë në tryezën e drejtuesve të grupeve parlamentare, çka do të ishte shenja e parë e një dakordësie në horizont për t’i dhënë fund kaosit.
Nje ditë më parë Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e Rithemelimit për çështjen e Zgjedhores.
Për reformën zgjedhore një përpjekje për të ulur palët e për të dëgjuar propozimet e tyre do ta bëjë dhe OSBE-ODIHR, që më 13 mars sjell në Shqipëri ekspertët e saj për një tryeze pune, ku edhe Bardhi mësohet se do të ketë përfaqësuesin e tij.
Sa i takon kërkesës së Rithemelimit për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret.
Ndërkohë, SHBA dhe BE ka përsëritur mesazhin për dialog dhe tha se palët duhet të angazhohen për një parlament funksional.