Qumështi i bletës është një ndër produktet më kurative në botë. Vlerësohet si “Nektari i Perëndive” për vlerat e jashtëzakonshme shëruese që ka për shëndetin.

Qershori është muaji në të cilin ky produkt prodhohet dhe fillon të shitet nga bletarët, prandaj dhe këshillohet që të konsumohet në këtë periudhë.

I njohur ndryshe me emrin “Xhelatina Mbretërore” qumështi i bletës është ndër më të kërkuarit në botë. Sot ai është shndërruar në një biznes fitimprurës edhe për bletarët shqiptarë krahas prodhimit të mjaltit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, vitet e fundit, qumështi i Bletës po njeh një zgjerim të konsiderueshëm në tregun shqiptar.

Ashtu si në çdo vend të botës ai shitet në sasi shumë të kufizuar ndaj dhe vlera e tij përherë e më shumë bëhet më e shtrenjtë. Ai ambalazhohet në minishishe qelqi dhe shitet në gramatura shumë të vogla.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org çmimi mesatar për vetëm një gram qumështi të bletës shkon deri në 1 mijë lekë.

Nisur për nga vlera e lartë dhe fitimprurëse, bletarët shqiptarë kanë fokusuar biznesin e tyre prej disa vitesh edhe në shitjen e qumështit të bletës ndërsa e vlerësojnë këtë mënyrë biznesi edhe më fitimprurës se sa shitja e mjaltit.

Bletarët shprehen se kërkesa për qumështin e bletës është gjithnjë në rritje ndaj dhe ata janë duke i kushtuar vëmendje përherë e më të lartë nxjerrjes së këtij qumështi të artë.

Vjelja e qumështit të bletës kërkon një mjeshtëri të posaçme pasi i gjithë procesi është shumë delikat.

Qumështi i bletës që prodhohet nga gjëndrat e bletëve punëtore shërbejnë për të ushqyer larvat gjatë tri ditëve të para si dhe për të ushqyer mbretëreshën.

Ky ushqim e mban mbretëreshën në jetë për 8 vjet, një fakt interesant ky, duke ditur që një bletë e zakonshme, e cila ka lindur nga e njëjta vezë me mbretëreshën, jeton vetëm 21 ditë.

Qumështi i bletës ka ngjyrë të bardhë në të verdhë, është si krem, ka shije të thartë dhe pak aromë.

Vlerat kurative:

Vlerësohet si një super ushqim i fuqishëm për shkak të vlerave që ai mbart. Qumështi i Bletës përmban ujë, lëndë minerale, yndyrna, proteina, karbohidrate, vitamina etj.

Ai mund të përdoret për kurimin e një sërë sëmundjesh si: Hipertiroidisem, Diabeti, Hiperkolesterolemi, hipertrigliceridemi (kolesterol dhe trigliceride të larta), sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje të gojës, probleme me mishrat e dhëmbëve, probleme të fytit, sëmundje të veshkave, artrite reumatoide, probleme me riprodhimin, ndihmon në periudhat e premenopauzës etj

Ai rekomandohet që të përdoret herët në mëngjes duke e marrë nën gjuhë. Kjo pasi aty ka mjaft enë gjaku që bëjnë thithjen e menjëhershme dhe kalimin në gjak.

Zgjatja e kurimit është e ndryshme dhe varet nga shkalla e sëmundjes ose qëllimi për të cilin përdoret, por asnjëhere më pak se një muaj.

Ka efekt qetësues dhe çlodhës, ul nivelin e hormoneve të tiroides. Ai është një pastrues fantastik për organizmin nga toksinat.

Ndihmon funksionimin e veshkave, rrit jetëgjatësinë e njerëzve, duke ruajtur rininë e enëve të gjakut. Zgjeron enët e gjakut, ndihmon në uljen e kolesterolit dhe triglicerideve dhe rrit imunitetin.

Ky qumësht ndihmon në formimin e rruazave të kuqe të gjakut, këshillohet në anemi dhe ndihmon në mikrohemorragji. Në lëkurë, rregullon prodhimin e yndyrës.

Përdoret në kozmetikë, sepse ndihmon në pastrimin dhe rinimin e lëkurës. Përdoret si agjent antibakterial dhe antivirusal lokal për probleme të ndryshme të lëkurës. Te fëmijët e sapolindur ndihmon në rritjen në peshë.

Qumështi i bletës, nxit gjëndrat riprodhuese, ndihmon prodhimin e vezoreve, gjatë shtatzanisë, duke rritur nivelin e progesteronit në gjak.

Rrit nivelin e testosteronit në gjak, duke ndihmuar në problemet e potencës mashkullore. Stimulon gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në sëmundje si artriti ose lodhja kronike.

Ndihmon në funksionimin e mëlçisë dhe sëmundjet e saj, hepatite dhe rigjeneron strukturën e mëlçisë.

Artikulli paraprakTURIZMI, SHQIPËRIA NGJIT 12 VENDE NË RENDITJEN E FORUMIT EKONOMIK BOTËROR
Artikulli tjetër“MANDATI I TRETË DETYRIM PËR SHQIPËRINË EUROPIANE” SPIROPALI: KAQ NUK MJAFTON