Një lajm i madh ka mbërritur për boksin shqiptar. Sukseset e njëpasnjëshme në boksin profesionist dhe mbi të gjitha fitorja në ndeshjen e muajit të kaluar në ringun e Londrës ndaj kampionit të Argjentinës, kanë bërë që për boksierin shkodran Nelson Hysa të hapen dyer të reja. Ftesat për të kanë qenë të shumta kohët e fundit nga promotorë të ndryshëm, por më e madhja ka mbërritur së fundmi. Promotori më i madh në botë i boksit për peshat e rënda, Frank Warren bashkë me promocionin që ai drejton, e kanë ftuar kampionin shkodran të jetë pjesë e një aktiviteti madhështor që do të organizohet me 8-shkurt në Manchester të Britanisë së Madhe.
Ky aktivitet do të organizohet si pjesë e “Riyadh Season”, që për momentin është kompania që organizon eventet më të mëdha dhe më spektakolare të boksit në botë. Nelson Hysa do të jetë i pari boksier nga Ballkani në historinë e boksit, që tashmë do të jetë prezent edhe në finalet e “Riyadh Season”. Momentalisht, Hysa është i renditur në vendin e 12-të në rang-listën botërore. Kjo ftesë vjen prej sukseseve të vazhdueshme të tij në boksin profesionist, por padyshim që kjo pjesëmarrje e tij në një event të tillë gjigand, konsiderohet “kontrata e jetës” për Nelson Hysën, i cili do të synojë mbrojtjen e titullit të kampionit të Europës, pikërisht me 8-shkurt në sallën e Manchesterit në aktivitetin e “Riyadh Season”.
Po ashtu, njëkohësisht Hysa do të synojë fitoren e tij të 20-të në po kaq ndeshje të zhvilluara në boksin profesionist, me një bilanc fantastik prej 19-fitoresh. Vitet e fundit, boksi profesionist në vendin tonë duket se po hedh hapa gjigandë dhe kjo falë boksierit Nelson Hysa, teksa ftesa e fundit për të konkurruar në një event si ai i Manchesterit, që cilësohet si një nga promocionet më të mira të botës, është treguesi më i mirë për këtë.