Nën akuzë 25-vjeçari, donte të kthente në prostitutë një vajzë
Ka shfrytëzuar të kaluarën e vajzës dhe ka nisur përndjekjen e saj për ta detyruar të prostituonte. Ky rast është denoncuar nga vetë vajza, e cila ka deklaruar se përndjekja që i bëhej i ishte kthyer në një makth të vërtetë. Sipas denoncimit, autori i kësaj perndjekje është Jonader Bami, 25 vjeç. Ky i fundit, duke ditur të kaluarën e vajzës, e cila ishte dënuar për ushtrim prostitucioni, ka tentuar ta shfrytëzojë duke i bërë presion fillimisht që të krijonin bashkë një lidhje intime. Duke parë refuzimin e vajzës, 25-vjeçari ka filluar kërcënimet, duke i bërë të qarta idetë e tij për ta shfrytëzuar vajzën për prostitucion me premtimin se fitimet do t’i ndanin bashkë dhe se do të ishte nën mbrojtjen e tij dhe të fisit të tij. Për të realizuar qëllimin e tij, autori në një rast e ka pritur vajzën te shkallët e pallatit dhe ka tentuar ta fusë në një taksi, por fatmirësisht taksia nuk ka pranuar t’i marrë dhe në këto kushte 25-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës. Pas këtij episodi vajza e ka denoncuar të riun dhe Jonader Bami u arrestua nga policia. Pas hetimit dhe gjykimit të tij, Gjykata e Tiranës e ka dënuar atë me 1 vit burgim për akzuën e përndjekjes.