Nën moton “S’mban më ujë pilafi”, rikthehen protestat në vend kundër rritjes së çmimeve.
Sot në rrjetet sociale ka qarkulluar një thirrje për protestë, pasditen e së mërkurës.
Në njoftimin e lëshuar nga shoqëria civile, iu bëhet thirrje qytetarëve që të mërkurën në orën 18:00 të mblidhen në Sheshin ‘Skënderbej” e të marshojnë më pas drejt kryeministrisë duke protestuar per nivelin e çmimeve.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve apo produkteve ushqimore vazhdojnë të rriten, edhe pse për kontrollin e tyre u ngritën borde transparence nga qeveria.
Pak muaj më parë kur çmimi i karburantit u rrit me shpejtësi brenda disa orësh, protestat e përditshme e frenuan rritjen e mëtejshme të tij, duke detyruar qeverinë që me anë të bordeve të ulë çmimin dhe të premtojë se do kontrollojë edhe cmimet e produkteve të shportës.
Megjithatë prej disa ditësh çmimi i karburantit është rritur sërish, duke shënuar rekord që nga krijimi i bordit të transparencës.
1 litër naftë kushton 258 lekë ndërkohë 1 litër benzinë kushton 243 lekë. Edhe çmimet e shportës si orizi, sheqeri apo mielli kanë shënuar rritje.