Me detyrimin e respektimit të masave anti-COVID, rreth 480 mijë nxënës në sistemin parauniversitar në të gjithë vendin do të nisin sot vitin e ri shkollor. Deri më tani, është zhvilluar mësimi plotësues për të rikuperuar njohuritë e humbura dhe ka qenë në dëshirën e nxënësve, por nga sot do të nisë zyrtarisht shkolla. Mësimi sot do të fillojë në orën 08:00 dhe orët do të jenë nga 30 minuta, si një masë e marrë për të reduktuar qëndrimin në një ambient të mbyllur për orë të gjata.
Një pikë e rëndësishme është ajo e zbatimit të masave anti-COVID, ku nxënësit janë të detyruar të respektojnë distancimin social, të mbajnë maskat si dhe ambientet duhet të ajrosen vazhdimisht . Në ndryshim nga vitet e kaluara, mësuesit do të rikthehen në klasa të vaksinuar, ndërsa për ata që nuk e bëjnë, do të duhet të paraqesin test COVID çdo javë për të treguar se nuk janë të infektuar nga virusi.
Nëpërmjet një video-mesazhi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi një ditë më parë iu drejtua me një urim të gjithë nxënësve, duke theksuar se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë. Kushi u bëri thirrje nxënësve që t’i kushtojnë kujdes maksimal masave anti-COVID.