Të mërkurën në Parlamentin Evropian u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që shënon edhe hapin e fundit para botimit të këtij vendimi në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Duke filluar nga një janari i vitit 2024 qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten, tha në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit se ky hap është dëshmi e përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zoti Reuten tha se më në fund udhëtimi për në vendet e Bashkimit Evropian, për festa, vizita familjare e biznesi, do të bëhet shumë më i lehtë për qytetarët e Kosovës.
“Fakti se qytetarët nga të gjitha vendet fqinje të Kosovës kishin mundësi të udhëtojnë për në vendet e Bashkimit Evropian pa viza, përveç Kosovës, ishte i padrejtë dhe i paarsyeshëm dhe është një çlirim i madh që kjo çështje po përmbyllet. Kosova ka punuar shumë fort në përmbushjen e të gjitha kushteve dhe i ka përmbushur ato para shumë vitesh”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se liberalizimi i vizave do të lehtësojë jetën e qytetarëve të Kosovës krahas forcimit të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian. Zoti Bislimi tha se qeveria e Kosovës së shpejti do të nisë një fushatë për të garantuar informimin e saktë të qytetarëve mbi lehtësitë dhe kufizimet që sjell liberalizimi i vizave.
“Çdo qytetar i Kosovës e di se sa i vështirë, i kushtueshëm dhe burokratik është procesi i pajisjes me vizë. Ishte posaçërisht e rëndë kur pas një procesi të tillë kërkues qytetareve u refuzoheshin vizat. Por vitin tjetër qytetarët tanë nuk do të kenë më nevojë të kalojnë nëpër një proces të tillë”, tha ai. Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në territorin e Bashkimit Evropian.