‘Nëse nuk hiqet muri në Mitrovicë, ne do të ngremë mur në Preshevë’
Punimet e fundit rreth Urës së Ibrit kanë krijuar konfuzion, paqartësi e tensione tek qytetarët e Kosovës dhe kanë ngjallur mosbesim ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Por, ngritja e murit ka nxitur reagime edhe në Luginën e Preshevës. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, murin të Ura e Ibrit e ka quajtur të papranueshëm për Luginën e Preshevës. Musliu ka thënë se nëse nuk largohet muri në Mitrovicë, atëherë e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Luginë. Ai ka thënë se Evropa nuk mund të veprojë me dy standarde. “Kjo punë shkon në mënyrë reciproke dhe ne do të veprojmë në të njëjtë mënyrë. Nuk mundet Evropa të veprojë me standarde të dyfishta, ndryshe për serbët e ndryshe për shqiptarët”, ka thënë Musliu për “Zeri.info”.