Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar të një “rëndësie të veçantë” vizitën që pritet të mbajë ditën e nesërme në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Nëpërmjet një interviste për mediat e Kosovës, kreu i ekzekutivit tha se vizita e Blinken tregon se Shqipëria është një vend i rëndësishëm për SHBA-të në një kohë kur ka zhvillime aq të mëdha me luftën në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

“Padiskutim që është një vizitë me rëndësi të veçantë vizita e çdo sekretari shteti në Shqipëri sepse në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh as një fuqi ushtarake. Por, mesa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshme dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak. Është një arsye për ta konsideruar si një shprehje kuptimplotë të një marrëdhënie të rëndësishme të SHBA-ve”- tha Rama.

Sipas Ramës, vizita e Blinken konfirmon se Shqipëria është ngritur në një tjetër nivel sa i takon pozicionimit në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi edhe faktin që vendi ynë shihet si një faktor stabiliteti në rajon i hapur për bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje.

“Do të thotë se sot Shqipëria, është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe të prezantimit të saj ndërkombëtar falë edhe një sërë hapash shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në tryezën ndërkombëtar. Angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit ku Shqipëria ka marrë falënderim domethënës nga SHBA-të për kontributin e veçantë. Sigurisht që kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve tanë strategjikë tek Shqipëria, tek pesha e Shqipërisë në rajon dhe një konsideratë e veçantë për rolin që Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon për një dorë të shtrirë për fqinjët tanë ballkanikë”- theksoi kryeministri.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA BËHET PJESË E KONVENTËS LUBJANË-HAGË, MANJA: HAP VENDIMTAR NË LUFTËN KUNDËR PANDËSHKUESHMËRISË
Artikulli tjetërEDHE ME PREZENCËN E AMERIKANËVE, IZRAELI REFUZON TË VAZHDOJË NEGOCIATAT ME HAMASIN