21 janari është quajtur si dita më e trishtuar e vitit. E quajtur “E hëna blu”, ajo mendohet se është një nga ditët kur njerëzit janë më të trishtuar dhe më pesimistë se çdo ditë tjetër të vitit.
Sipas formulës, “e hëna blu” bie në të hënën e tretë pas Vitit të Ri. Këtë vit, “e hëna blu” është ajo e 21 janarit. Dita më depresive e vitit është rezultat i një formule aktuale të menduar mirë nga një psikolog.
Origjina e këtij përkufizimi u bë gati një dekadë më parë nga psikologu britanik, Cliff Arnall që shpjegoi përsenë e “ditës më të trishtuar të vitit”.
Sipas studimeve ajo ndodh në bazë të një formule që vjen pas dhjetorit të festave dhe ngjyrave, atmosferës së ngrohtë të dashurisë familjare e ndërsa ndikohet nga kushtet e motit, borxhet, kalimin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, si dhe nivelet përgjithësisht të ulëta të motivimit.
Ngjyrat e Krishtlindjes dhe ekzaltimi i hyrjes në një Vit të Ri janë zëvendësuar tashmë nga mëngjeset e hershme, moti gri dhe sfidat e reja, diçka që bën që shumëkush të stërmundohet për të mbetur produktiv dhe pozitiv. Ditët bëhen më të shkurtra e më të errëta, ndërsa zgjimi më i hershëm.
Energjia nis e mungon, por të gjitha këto janë të kapërcyeshme. Studiuesit pranojnë se nuk ka asnjë të vërtetë shkencore tek “e hëna blu”, por sidoqoftë bëhet fjalë për një akumulim faktorësh të jashtëm, të ndryshëm, në janar, që lehtësisht prekin edhe humorin.
Në Angli, çështja në fjalë është marrë shumë seriozisht: si për koincidencë, në këtë ditë, ka rritje të papunësisë dhe disa organizata ofrojnë këshillim psikologjik për ata që kanë nevojë.
Aktiviteti fizik, takimi me miqtë apo ndonjë film humoristik do t’ju ndihmojë ta kaloni shumë lehtë këtë ditë. Ekspertët e këshillimit sugjerojnë që në këtë ditë njerëzit të vishen me ngjyra të ndritshme ose të dëgjojnë muzikë të gëzuar.
Gjatë kësaj dite ekspertët këshillojnë që njerëzit të evitojnë kafeinën, pijet energjike dhe të konsumojnë vetëm ushqime me vlera, për t’i sjellë pak gëzim kësaj dite.