Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar, në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, e cila pritet të mbahet në Bruksel të martën (17 Dhjetor).

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin e 6-të që përfshin Marrëdhëniet e jashtme, duke përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme
Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

Pritet të ketë dhe një konferencë për shtyp pas konferencës ndërqeveritare. Takimi në nivel ministror përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të vendit tonë në BE.

Grupkapitulli për politikën e jashtme pritet të finalizohet në një kohë të shkurtër, pasi vendi ynë ka treguar vullnet maksimal për të njehësuar vendimmarrjen me Brukselin, në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pas agresionit në Ukrainë, si dhe qëndrimin për konfliktin në rripin e Gazës.

Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksemburg më 15 Tetor çeli zyrtarisht , ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.

Në këtë ritëm të shpejtë në negociata, vlerësohet roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë, si SPAK-u në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri Rama synon që procesi i negociatave të përfundojë në 2027, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Ndërkohë të mërkurën, Rama do të ulet së bashku me liderët e tjerë të rajonit në tryezën e samitit me 27 homologët e BE-së, eventi i parë i kryesuar nga presidenti i ri i KE, Antonio Costa, e po ashtu komisionerja e re për zgjerimin Marta Kos.

Artikulli paraprakAUSTRALIA PËRFSHIHET NGA VALA E TË NXEHTIT EKSTREM, PRITEN TEMPERATURA DERI NË 45 GRADË
Artikulli tjetërANKIMOI SEKUESTRON E VILAVE, KRYEMADHI ME BASTUN NË APELIN E GJKKO: KËSHTU E KA JETA