Të hënën, më 5 shtator, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç do të jetë për vizitë në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të bëjë kujdes në deklaratat që bën. Në një konferencë për mediat, Kurti tha se homologia serbe të mos japë deklarata përçarëse si kryenegociatori serb në dialog, Petar Petkoviç.
“Pres që zonja Brnabiç të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve.
Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo jo shumicë, por këtu e kemi një vështirëse, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale”, tha Kurti. Brnabiç do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç.