Një ditë para protestës që ka thirrur Sali Berisha dhe Ilir Meta, policia e shtetit ka njoftuar qytetarët në lidhje me rrugët që do të bllokohen në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe të sigurisë.
Kështu duke filluar nga ora 10 e mëngjesit, e ditës së nesërme, e deri në përfundim të tubimit, qytetarët këshillohen që të shmangin disa rrugë pasi do të bllokohet qarkullimi konkretisht në rrugët: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Po ashtu duke filluar nga ora 06:00 e datës 03.03.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në këto rrugë.
Të nesërmen në orën 12:00, Berisha ka thirrur një protestë kombëtare që pritet të mbahet para kryeministrisë. Në të njëjtën ditë pritet që gjykata e Apelit të japë vendimin mbi ankimimin e Alibeajt ku kërkohet rrëzimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e kuvendit 18 dhjetorit si legjitim.