Komisionet e këshillit bashkiak të Shkodrës vijojnë që të mos mblidhen.
As në ditën e dytë pjesa më e madhe e tyre nuk kanë preferuar që të vijnë për të zhvilluar mbledhje edhe pse jemi shumë afër mbledhjes së këshillit bashkiak ku pika më e rëndësishme është ajo për buxhetin e 2016-ës. Disa prej komisioneve më të rëndësishme nuk janë mbledhur. I pari në radhë ishte ai i arsimit. Në atë komision kanë ardhur vetëm Brisela Kadija e PS dhe Sara Michel e PD, pjesa tjetër jo duke mos patur numrin e duhur për zhvillimin e mbledhjes. Arsimi pavarësisht se ka një rëndësi të shtuar tashmë për bashkinë Shkodër për shkak të kompetencave të reja, komisioni nuk ka denjuar që të mblidhet. I dyti komision ishte ai për shërbimet publike. Sërish një komision me shumë rëndësi për të mos thënë më i rëndësishmi sepse i gjithë buxheti lidhet kryesisht me shërbimet publike që i duhen ofruar qytetarëve. Tek komisioni i shërbimeve publike erdhën Maxhid Cungu, Vildana Gushta dhe Ndoc Ashta nga PD ndërsa pjesa tjetër jo duke mos e patur sërish numrin minimal për ta zhvilluar mbledhjen. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me komisionin e zhvillimit ekonomik dhe turizmit. Sërish një tjetër komisin ku problematikat janë të mëdha siç është ekonomia gjithnjë në rënie e Shkodrës apo edhe turizmi i varfër që ofrojmë përtej bukurive natyrore qënë vend që të zhvillohen janë shkatërruar. Tek komision erdhën vetëm Isuf Meta dhe Mark Rupa nga PD ndërsa pjesa tjetër munguan duke bërë që edhe i treti në radhë të dështojë. Të vetmit që janë mbledhur është komisioni i kontrollit financiar dhe ai i buxhetit dhe aseteve publike. Tek kontrolli financiar mjaftoi prania e Senida Mesit të PS, Terezina Hilës dhe Anita Amulit të PD duke bërë që ky komision ta zhvillojë mbledhjen. Po ashtu edhe komisioni për financat, buxhetin dhe asetet publike u mblodh me praninë e Terezina Hilës dhe Isuf Metës nga PD dhe Senida Mesit e PS dhe Alda Dermani e partisë Ora e Shqipërisë. Tek këto dy komisione ka patur diskutime dhe debate për shumë problematike që do të paraqiten edhe në këshillin bashkiak. Në dy ditë nga 9 komisione u mblodhën në total vetëm 3 prej tyre duke treguar një neglizhencë nga pjesa më e madhe e anëtarëve të këshillit bashkiak.