Në nisje të këtij viti kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të veçantë me një grup pensionistësh, personazhe të njohur në fushën kulturore, sportive e shkencore të vendit.
Në një postim të shoqëruar me fotogaleri, kreu i qeverisë shkruan se borxhi ndaj këtyre kontribuesve të vecantë do të jetë gjithnjë i pashlyeshëm.
“Një mbrëmje e veçantë me një grup pensionistësh të veçantë, kontribues të veçantë në jetën kulturore, sportive e shkencore të vendit, ndaj të cilëve borxhi i veçantë do të jetë gjithnjë i pashlyeshëm”, shkruan Rama.
Pritja është bërë nga bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama ndërsa nuk kanë munguar as ministret Elva Margariti, Elisa Spiropali dhe Evis Kushi. Në darkën e shtruar nga Rama shihen aktorët Ndriçim Xhepa, Viktor Zhusti, këngëtarja Myfarete Lazaj si dhe gruaja e shkrimtarit Ismail Kadare, Helena. Një moment interesant është kur njëri prej tyre e ka puthur Ramën në ballë.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje paketën e re mbështetëse për pensionistët, të cilët do të mund ta tërheqin pagesën në sportelet e postës ku marrin pensionet.