Në orën 18:00 pritet të mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste. Raportohet se në këtë mbledhje pritet të ketë diskutime sa i përket një date të mundshme për Asamblenë Kombëtare të PS, në të cilën do të vihen në zbatim vendime të Kongresit të 9 Prillit.

Këto vendime kanë të bëjnë si me ndryshimet statutore ashtu dhe me ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve të bashkive të PS, ndërprerje që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj.

Sakaq, mësohet se fokusi kryesor do të jetë te zgjedhja e Presidentit të ardhshëm. Mësohet se do ketë një raportim të ecurisë së deri tanishme për zgjedhjen e presidentit, nga grupi negociues, i cili përmbahet nga kreu i grupit parlamentar i PS Taulant Balla, sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Deri më tani PS ka propozuar dhe kërkon nga kryetarja e Kuvendit që mbledhja e konferencës së kryetarëve, e cila do të vendosë se kur do të thirret raundi i parë i votimit, të jetë në datën 4 Maj.

Ndërkohë që PS përmes Taulant Ballës ka propozuar që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të jetë data 10 Maj. Deri më tani ka pasur një takim të kreut të grupit PS me krerët e dy grupeve opozitare, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda, në të cilën është rënë dakord për spostimin e datës fillestare.

PS kërkoi datën 29 Maj për konferencën e kryetarëve për të vendosur raundin e parë, ndërkohë që me dakordësinë në takimin e mëparshëm, mbledhja u spostua.

PS është e hapur drejt gjetjes së një emri konsensual me opozitën për Presidentin e ardhshëm, ndërsa kujtojmë se Kushtetuta ka sanksionuar që tre raundet e para të votimit kërkojnë 84 vota për të zgjedhur Presidentin, numër i cili shkon drejt arsyetimit të një emri konsensual, por nëse në këto tre raunde nuk do të ketë dakordësi, atëherë hynë në fuqi mekanizmi zhbllokues, sipas të cilit Presidenti zgjidhet edhe me shumicën e thjeshtë, 71 vota, ndërkohë që PS i gëzon këto vota.

Në fund të mbledhjes së Kryesisë pritet dhe një prononcim për mediat nga kryeministri Edi Rama.

Artikulli paraprakSKANDAL NË BRITANI/ DEPUTETET GRA KAPIN MAT LIGJVËNËSIN KONSERVATOR DUKE PARË PORNO NË MBLEDHJEN E PARLAMENTIT
Artikulli tjetërU PËRDHUNUA NGA USHTARËT RUSË, DRAMA E 14-VJEÇARES UKRAINASE, MBETI SHTATZËNË DHE VENDOSI TË MBAJË FËMIJËN SEPSE…