Ish-kreu i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal është në bisedime për t’u deklaruar fajtor për akuzat në lidhje me punën që ai dyshohet se ka bërë për një oligark rus të sanksionuar pas largimit nga qeveria, sipas një urdhri gjykate, raporton CNN.
Gjykatësja Jennifer Reardon, e cila është duke mbikëqyrur çështjen, publikoi një urdhër të hënën duke treguar se ajo ishte informuar se McGonigal “mund të dëshirojë të ndryshojë deklaratën e fajësisë”. Gjykatësja vendosi një procedim për pranimin e fajësisë për javën e ardhshme. McGonigal u akuzua për lidhjet e tij me Oleg Deripaska, një miliarder rus, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është akuzuar penalisht vitin e kaluar për shkelje të këtyre sanksioneve.
Oleg Deripaska u sanksionua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA. Në të njëjtën ditë, McGonigal u akuzua për fshehjen e 225,000 dollarëve që dyshohet se kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare. Lidhur me çështjen e Shqipërisë, javën e kaluar në një seancë gjyqësore në Uashington, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, i tha gjyqtarit që mbikëqyr atë çështje se kishte një “shans të mirë që çështja do të zgjidhej” pa pasur nevojë të shkonte në gjyq.