Parisi është gati që xixat dhe shkëlqimin e Olimpiadës t’ua prezantojë miliona njerëzve, përmes një ceremonie hapëse në lumin Sena, dicka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Kështu, kjo do të jetë hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium.
Rreth 85 anije do të bartin gati 7.000 atletë, një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e Parisit. Nisja do të bëhet prej urës Austerlitz, anijet do të lundrojnë rreth katedrales Notre-Dame, për të arritur më pas afër Kullës Eiffel, si dhe nën shumë ura tjera që gjenden rreth qendrës së kryeqytetit francez. Ceremonia do të nisë në orën 19:30 të premten e 26 korrikut, dhe do të zgjasë rreth tri orë e 45 minuta.
Organizatorët kanë premtuar ceremoni si asnjë tjetër. Ata deklarojnë se do t’i shfrytëzojnë monumentet historike, qiellin, ujin dhe “nuk do të jetë asnjë urë e pashfrytëzuar për të lëshuar muzikë, për të vallëzuar apo për performanca tjera”. Rreth 80 ekrane gjigante nëpër Paris do të transmetojnë gjithë ceremoninë, në të cilën do të ketë edhe vallëzues që do të performojnë prej kulmeve të ndërtesave afër Senës.
Në këtë ceremoni do të festohet për Parisin, Francën dhe Lojërat Olimpike, dhe do të ketë paradë të atletëve, performanca artistike dhe pika tjera sipas protokollit, ka thënë Thomas Jolly, drejtor artistik i ceremonisë hapëse. Detajet se kush do të ndezë fanarin olimpik për të shënuar nisjen e Lojërave, dhe cilët artistë do të marrin pjesë, janë mbajtur sekrete. Megjithatë, dihet që Lady Gaga dhe Celine Dion janë në mesin e këngëtarëve që janë parë në Paris, duke zgjuar thashetheme se ato ka mundësi të jenë pjesë e ceremonisë.
Mediat franceze kanë thënë se ylli Aya Nakamura, këngëtarja më e dëgjuar franceze në botë, do të jetë pjesë e ceremonisë. Nakamura ka qenë shënjestër e abuzimit racor online, kur kanë qarkulluar fjalët e para se ajo do të mund të marrë pjesë në ceremoni. Ajo këndon në gjuhën frënge, përdor shumë lokalizma dhe stili i saj është i ndikuar prej muzikës Indie, e përzier me R’n’B amerikan dhe ritme afrikane. Një e panjohur e madhe lidhet me motin. Parashikimet aktuale janë për mot me vranësira, ndonëse organizatorët kanë pritur se do të ketë perëndim të artë dielli, për ta bërë ceremoninë edhe më magjike.
Kush do të marrë pjesë në ceremoni?
Në ceremoni do të jenë mbi 80 udhëheqës shtetërorë dhe më shumë se 300.000 spektatorë, kanë thënë organizatorët. Komiteti i Lojërave Olimpike ka thënë se rreth 222.000 njerëz kanë fituar ulëset falas, ndërsa 104.000 është dashur të blejnë biletë. Anijet, që do t’i bartin atletët, do të jenë të pajisura me kamera, për t’iu mundësuar shikuesve prej larg që të shohin gjithçka sikur të ishin aty, ka thënë komiteti.
Organizimi i ceremonisë në zemër të Parisit mund të jetë diçka fantastike për të bërë fotografi, mirëpo përbën edhe sfidë të madhe në aspektin e sigurisë. Rreth 2.000 pjesëtarë të sigurisë dhe 45.000 policë do të jenë të shpërndarë për të garantuar sigurinë e ceremonisë, përfshirë forcat speciale të intervenimit. Snajperistët do të jenë të angazhuar në kulmet e ndërtesave. I aktivizuar do të jetë edhe sistemi anti-dron. Spektatorët dhe banorët lokalë do të duhet të kenë leje të posaçme dhe kodin QR për të depërtuar afër zonës ku do të mbahet ceremonia.
Qarkullimi i makinave do të ndalohet, përveç disa përjashtimeve të vogla. Stacionet e afërta nëpër metro do të jenë të mbyllura, ashtu sikurse kalimi nëpër disa ura. Aeroplanët nuk do të mund të fluturojnë mbi Paris – përveç atyre që do të jenë pjesë e ceremonisë. Luftërat në Gazë dhe Ukrainë, si dhe shqetësimet për siguri në shtëpi, e kanë bërë Francën që veçse të jetë e alarmuar në nivelin më të lartë në aspektin e sigurisë.
Zyrtarët kanë thënë se nuk ekziston ndonjë kërcënim specifik për terrorizëm në këtë ceremoni. Kërcënimi i vetëm potencial mund të jetë prej ndonjë sulmuesi që mund të veprojë vetëm, ose edhe prej ndonjë proteste që mund të mbajnë aktivistë për mjedisin, ata të së djathtës ekstreme, të së majtës ekstreme, apo lëvizjet pro-palestineze. Një burrë është arrestuar në maj në qytetin francez Saint-Etienne, i dyshuar për planifikim të një sulmi në emër të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në stadiumin e futbollit, në kohën e mbajtjes së Olimpiadës. Një simpatizues i krahut të djathtë është arrestuar në lindje të Francës në korrik, nën dyshimet se ka bërë komplot për sulme gjatë kohës sa mbahen Lojërat.
Ceremonitë e mëparshme të hapjes së Lojërave Olimpike verore
Tokio 2020: Ceremonia hapëse pati rënë në hije nga pandemia e koronavirusit. Ndonëse është shtyrë për një vit, për shkak të rrezikut nga koronavirusi, Lojërat janë mbajtur kryesisht pa shikues.
Rio 2016: Brazili, i ndrydhur financiarisht atë kohë, nuk ka pasur shumë zgjidhje përveç organizimit të një ceremonie modeste dhe të varur shumë prej traditave të karnavaleve, që mbahen atje rregullisht.
Londra 2012: Mbretëresha Elizabetë, e ndjerë tashmë, është parë në hapje në helikopter bashkë me aktorin Daniel Craig – të njohur për rolin e tij të James Bondit – me të cilin ka udhëtuar rreth Pallatit Buckingham, duke e shtuar madhështinë e gjithë organizimit.
Pekini 2008: Rreth një miliard njerëz, apo 15 për qind e popullsisë së botës, e kanë shikuar ceremoninë hapëse, në të cilën janë përfshirë 10.000 performues, 2.008 bateristë dhe një finale dramatike me “ecjen” e performuesve nëpër qiell.