Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se gjatë bisedës, Biden ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet ruse, përfshirë trajtimin dhe burgosjen e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.
“Biden gjithashtu tha se Uashingtoni mbështet fuqishëm sovranitetin e Ukrainës, përballë agresionit të vazhdueshëm rus”, tha Psaki.
Kremlini konfirmoi telefonatën përmes një deklarate në faqen e internetit duke thënë se Putini e uroi Bidenin për marrjen e detyrës dhe se të dy liderët “shprehën kënaqësi” në lidhje me shkëmbimin e notave diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mbi zgjatjen e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START).