Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shqipëri. Avioni i tij ka zbritur në tokën shqiptare në orën 10:30, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.
Sapo kreu i shtetit turk ka zbritur nga shkallët e avionit, është takuar përzemërsisht me kryeministrin shqiptar, ndërsa janë përshëndetur me kokë.
Në një ceremoni zyrtare të përgatitur për nder të tij, janë vendosur dy himnet kombëtare të të dy shteteve. Ndonëse ardhja e Erdogan ishte parashikuar që të ishte në orën 09:25, avioni i presidentit turk ka zbritur në tokën shqiptare një orë me vonesë.
Kjo vizitë përkon me 554-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.
Më pas nga Rinasi, Erdogan do të udhëtojë drejt Laçit, në kompleksin e apartamenteve që janë ndërtuar falë donacioneve të qeverisë së tij për familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntor. Erdogan do të përurojë 524 apartamente të reja të banimit.
Rama dhe Presidenti Erdogan do të zhvillojnë një takim mes tyre, në Kryeministri, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Në vijim, dy personalitetet do të marrin pjesë në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut, objekt i rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore. Në përfundim të vizitës, Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë me një fjalë, në një seancë të posaçme parlamentare.