Që prej ditës së sotme, 1 qershor 2022 do të ndalohen qeset plastike njëpërdorimshe në vendin tonë, si një përpjekje për të mbrojtur mjedisin.
Nisma e Shqipërisë për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe u përgëzua në Vjenë, gjatë punimeve të ministerialit të Tratolow. Në këtë takim mes ministrave të Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe Ministres së Austrisë, Mirela Kumbaro prezantoi nismën e Shqipërisë për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.
Ligji për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe u miratua në Parlamentin shqiptar më 17 mars, ndërsa hyn në fuqi më 1 qershor. Ky ligj parashikon ndalimin e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme me trashësi të mureve të qeses për çdo anë jo më pak se 70 mikron, me kapacitet mbajtës jo më pak se 10 kilogramë dhe me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia.
Kontrollet do të ushtrohen nga një sërë institucionesh, si nga Drejtoria e Doganave për ndalimin e importit të qeseve që s’përmbushin kriteret, Inspektorati i Mbikqyrjes dhe Tregjeve për kontrollin e tregtimit të tyre dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për prodhuesit e qeseve nën parametrat e caktuar.
Qeset dëmtojnë peisazhin, ekosistemin dhe shendetin e qytetareve, ndaj kreu i turizmit dhe mjedisit, ftoi qytetaret dhe bizneset që te refuzojne përdorimin e tyre. Pas miratimit të këtij vendimi parashikohet gjobitja e çdo biznesi që tregton me qese plastike nën 35 mikron me një vlerë nga 1 milion deri ne 1.5 milion lekë të rinj. Këto masa janë në radhë të parë për prodhuesit importuesit e mëdhenj, por ligji nuk përjashton as tregtarët më të vegjël: supermarketet, marketet, dyqanet, apo çdo subjekt që pas dy muajsh do të tregtojë mallra me këto ambalazhe.