Ngecja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, në procesin e integrimeve evropiane, është pasojë e defektit në shkallën e efektivitetit të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian

, por edhe e mungesës së vullnetit politik të elitave drejtuese të vendeve të rajonit, për t’u marrë me ato që i kërkon procesi i integrimeve, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë. Por, sipas tyre, kjo ngecje në procesin e integrimeve evropiane, mund të krijojë efekte mjaft negative në vend. Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë sengecjet e Kosovës në integrimet evropiane, si dhe procesi i papërfunduar shtetformimit, e bëjnë perspektivën e saj të paqartë. E gjithë kjo situatë, sipas tij, krijon efekte mjaft negative në vet Kosovën, në kuptimin social, politik, si dhe në kuptimin e situatës gjeostrategjik, por edhe në krijimin e hapësirës për ndikimin e ideologjive të ndryshme. “Ne jemi dëshmitarë të ndikimeve të ndryshme nga lindja, por edhe të rritjes së nacionalizmit, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha pjesët e Ballkanit.

Madje, konsideroj se Kosova ka qenë pak e ndikuar përballë asaj se sa do të mund të ishte e ndikuar nga ideologjitë ekstreme, ideologjitë nacionaliste, kur ta marrim parasysh pozitën e saj dhe një politikë jo fort afruese të Bashkimit Evropian, një politikë e cila ka qenë e fokusuar më shumë në pjesët tjera të Ballkanit perëndimor dhe e ka lënë Kosovën anash”, thotë Qirezi. Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se problemet me të cilat ballafaqohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, lëvizjet populliste brenda vetë shteteve anëtare të saj, nevoja e fokusimit aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e largët, krijojnë hapësirë komode për të gjitha forcat jo konstruktive për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. “Rrjedhimisht, forcat tjera, në këtë rast lëvizjet e quajtura ‘Putiniste’ por edhe ato që vijnë nga ambiciet e Qeverisë aktuale të Turqisë, përkatësisht Erdoganit-sepse, ata duan të jenë një rol më aktiv në Ballkan – e që në fakt, shkon edhe përtej lëvizjeve me karakter fundamentalist ekstrem, e përdorin Ballkanin për të ushtruar ndikimin dhe influencën e tyre”, thekson Mazreku.

Por, a mund të ndikojnë ngecjet e Kosovës në integrimet evropiane në krijimin e të ashtuquajturit Euroskepticizëm? Analisti Qirezi shpreh mendimin se në Kosovë nuk ka ndjenjë të mosdëshirës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por ekziston një zhgënjim i madh i njerëzve me procesin e ngadaltë të këtij integrimi, me kushtet e vëna për këtë integrim, si dhe nga politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kjo, sipas tij, mund të rezultojë me zbehjen e dëshirës së qytetarëve të Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, e si rrjedhojë edhe me efekte tjera negative. “Mund ta largojë Kosovën nga vlerat, të cilat promovohen nga Bashkimi Evropian, vlera të cilat, në fakt, Bashkimi Evropian nuk i zbaton në rastin e Kosovës. Vetëm merreni si shembull se si trajtohen qytetarët e Kosovës nëpër ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe kjo tregon se çfarë standardesh të dyfishta zbaton Bashkimi Evropian me qytetarët e Kosovës”, konsideron Qirezi.

Profesor Mazreku, shpreh mendimin se qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta dëshirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, por në këtë moment, tek ata ekzistojnë dyshimet për mundësitë e realizimit të, siç e quan ai, “ëndrrës evropiane të qytetarëve të Kosovës”. “Në qoftë se kjo shpresë e njerëzve venitet, atëherë krijohet hapësirë për lëvizjet e tjera ekstreme, në këtë rast, sidomos për ato që kanë prirje ekstreme religjioze. Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet e tjera që ndodhin në Lindjen e Mesme dhe ngushtimin e hapësirës territoriale të operimit të këtyre organizatave terroriste, ato pretendojnë të manifestojnë rol të tyre në vendet e tjera”.

“Ballkani Perëndimor është, të themi kushtimisht, një ‘parajsë’ ku ata mund ta përdorin si poligon për ta treguar prezencën dhe ‘fuqinë’ e tyre në këtë vend, sepse vendet e Ballkanit perëndimor, njëkohësisht janë edhe vende të Evropës”, vlerëson Mazreku. Njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane, kanë potencuar Kosova, përveç ngecjeve në integrimet evropiane në përgjithësi, ajo vazhdon të mbetet ende vendi i vetëm në kontinentin e Evropës, qytetarët e të cilit nuk e gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Artikulli paraprakMOTI PËR SOT, KUSHTE TË PAQËNDRUESHME ATMOSFERIKE
Artikulli tjetërVRITET LIDERI I ISIS NË AFGANISTAN