Teksa jemi në fund të aftit për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, President ii Republikës Ilir Meta ka ripublikuar letrën e tij drejtuar kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi.

Përmes një mesazhi, kreu i shtetit teksa vlerëson rëndësinë e ngritjes së Kushtetueses, thekson se letra drejtuar Ruçit duhet të lexohet me shumë durim dhe kujdes.

“Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në respekt të Kushtetutës, e cila ndan përgjegjësitë dhe radhën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive nga secili institucion, po ju bëj publike letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për këtë çështje mjaft të rëndësishme.

Po kështu, është e domosdoshme që këtë letër ta lexojnë me durim dhe kujdes, të gjithë deputetët përpara se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, shkruan Meta. Në letrën sqaruese, Meta nënvizon faktin se është radha e Parlamentit të zgjedhë anëtarin tjetër e vetëm më pas i takon institucionit të Presidentit të bëjë përzgjedhjen e tij, sipas ligjit.

Presidenti pohon se qëllimi është mbrojtja e procesit kushtetues. Kreu i shtetit thekson se edhe pse shqetësimi mbi mënyrën dhe kohën sesi do të paraqiteshin listat e kandidatëve nga KED përkundrejt organeve të emërtesës, është shprehur më parë nga Presidenti, sërish Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk e ka respektuar këtë detyrim kushtetues.

Kreu i Shtetit shkruan se vendimi për pezullimin e vijimit të procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe dokumentacionit të përcjellë nga KED-ja, deri në realizimin e zgjedhjes nga Kuvendi të anëtarit të dytë, ka për qëllim ruajtjen e kushtetutshmërisë të emërimit apo zgjedhjes së anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate.

Pavarësisht lëvizjes së Metës, KED ka zgjedhur të mos marrë në konsideratë letrën e kreut të shtetit, i cili “topin” e pasoi tek institucioni i Parlamentit.

Ajo që mësohet është se një ditë më parë është botuar në fletoren zyrtare lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për gjyqtar pranë Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shpallur të parën në listë këshilltaren ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsin, e cila është vlerësuar me 89.642 pikë, ndërsa më pas lista vijon me Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, Elsa Toska me 85.428 pikë dhe Marsida Xhaferllari me 82.000 pikë.

Artikulli paraprakSHKODËR, PËRGJIGJE PROTESTUESVE: TË GJITHË U THIRRËN NË PUNË
Artikulli tjetërBALLKANI, “NUK MUND TË PRESIM BE-NË QË TË INTEGROHEMI”