Ministria e Jashtme e Kosovës në një deklaratë thotë se njëra prej viktimave në Gjermani është me origjinë nga Shqipëria. Më herët ishte thënë se tri prej viktimave në Mynih janë nga Kosova.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, është njoftuar zyrtarisht nga policia gjermane se dy nga nëntë viktimat e sulmit të djeshëm në Mynih, janë edhe të rinjtë kosovarë: Aremela Segashi, Dijamant Zabërgja si dhe shqiptarja Sabinë Sulaj e cila është në identifikim e sipër”, thuhet në deklaratë. Ministria e Jashtme e Kosovës thekson se “përfaqësuesit e policisë gjermane, përmes komunikimit zyrtar me autoritetet e shërbimit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në Mynih, kanë njoftuar se në mesin e të plagosurve janë edhe tre shtetas tjerë sipas tyre aktualisht me status të panjohur të shtetësisë, Mirsad Jovanivic dhe Benet Adili, kurse Lumnije Azemi e datëlindjes 20.04.1972 është shtetase e Kosovës. MPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të siguruar më shumë informacione lidhur më shtetësinë e qytetarëve të lënduar”.