Gjykata e Krujës ka caktuar masën e “arrestit në burg” 30 ditor për tre personat e ndaluar nga policia, lidhur me shpërthimin e pa kontrolluar në gurore, shpërthim ky që solli vdekjen e menjëhershme të, Asllan Jaupaj.
Vendimi për mbylljen në qeli të manovratorit Besmir Caca dhe administratorit të kompanisë “Nelan 2014”, Neritan Jaupaj, është marrë pak ditë më parë, ndërsa për punëtorin tjetër të plagosur, Gani Demrushaj, është marrë masë “arrest shtëpie” me afat, pasi ky individ ka mbetur i plagosur dhe për momentin nuk është në gjendje të flasë.
Sipas dosjes së prokurorisë së Krujës, tre punëtorët, përfshirë dhe viktimën Asllan Jaupaj, i cili është djali i xhaxhait të administratorit të gurores, Neritan Jaupaj.
Punëtorët ishin duke kryer plasje ditën e diel, një ditë kjo që sipas kontratave të sekuestruara nga prokuroria rezulton se ata duhet të ishin pushim.
Ndërkohë zjarrmëtari në firmën “Kelan 2014” nga dokumentacioni që ka paraqitur Neritan Jaupaj, është Sami Rruci, dhe ky person që është ekspert për vendosjen dhe ndezjen e dinamitit, ditën e diel s’ka qënë në gurore, pasi ishte pushim.
Pyetja që e mbulon me mister këtë ngjarje është se pse viktima Asllan Jaupaj dhe i plagosuri Gani Demrushaj, ndodheshin në gurore dhe ku e kishin gjetur sasinë e tritolit që u ka shpërthyer?
Kompania “Kelan 2014” kishte leje shfrytëzimi të gurores dhe ajo është në pronësi të Klemend Murataj, i cili ka qenë jashtë shtetit, në momentin e ndodhjes së ngjarjes. Sipas rrëfimit të dëshmitarëve, administratori i kësaj kompanie Neritan Jaupaj, ka treguar në polici se kushëriri i tij, Asllan Jaupaj dhe Gani Demrushaj kanë qenë te gurorja ditën e diel, pa dijeninë e tij.
Sipas tij në gurore nuk kishte asnjë lloj dinamiti, pasi për marrjen e lëndëve plasëse merret leje ditore për shfrytëzimin e tyre dhe pjesa e lëndëve plasëse që nuk është shfrytëzuar i kthehet pas firmës kontraktore, që ka ekskluzivitetin për ta mbajtur atë.
“Nuk më kanë vënë në dijeni dhe i ndjeri Asllan Jaupaj ka qenë kushëriri im. Kanë kryer punime pa lejen time dhe nuk e di se ku e kanë siguruar lëndën plasëse”-ka deklaruar në polici Neritan Jaupaj.
Si pasojë e shpërthimit të pakontrolluar, viktima ka pësuar çarjen e kokës dhe dëmtimin thuajse të plotë të saj. Në dobi të hetimeve, prokuroria ka pyetur dhe manovratorin e kësaj kompanie Besmir Caca, i cili nuk ka pranuar akuzën e ngritur, duke shtuar se në datën në datën 1 mars 2020 nuk ka qenë në punë, pasi është ditë e diel dhe e ka pushim.
Rreth orës 12:00 ka qenë tek oborri i shtëpisë dhe ka dëgjuar një zhurmë që vinte nga firma ku punon. Është bërë kureshtar për të parë se çfarë kishte ndodhur, pasi është ditë e diel dhe te firma nuk ka asnjë punonjës. Kur ka shkuar, ka parë Gani Demrushaj, i cili kishte dëmtime te syri dhe e ka hipur në një makinë të rastit e është nisur për në spital. Nuk ka asnjë lloj dijenie për lëndën plasëse, pasi është manovrator dhe gjatë gjithë kohës punon me fadromë dhe me ekskavator.
Prokuroria ka tentuar të marrë në pyetje, Gani Demrushaj, me qëllim zgjidhjen e enigmës se pse ditën e diel punëtorët punonin në gurore pa urdhrin e pronarit dhe administratorit. Por Demrushaj, nuk ka qenë në gjendje të jepte deklarim dhe ndodhej i shtruar në pavijonin e ORL-së në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu për këtë ngjarje u pyet dhe, Alfred Kalla, drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurime dhe Emergjencat në Miniera, i cili sqaron se në datën 22 shkurt 2020 kanë bërë inspektim në Nikël pranë firmës “Kelan 2104”, por nuk kanë shkuar në objekt, pasi nuk punohej për shkak të rrugës që ishte e prishur nga shirat.
Kanë marrë kontakt me Neritan Jaupaj dhe kanë kontrolluar dokumentacionin ligjor dhe kanë marrë informacion mbi gjendjen e firmës. I kanë lënë detyrë Neritan Jaupaj t’i njoftojë 5 ditë para se të fillojë punimet në gurore. Kjo firmë ka leje për të kryer punime minerare dhe për të kryer punime me lëndë plasëse të përdorimit civil në objektin e tyre.