Drejtori i policisë vendore të Shkodrës Edmond Sulaj tha se lidhur me ngjarjen e rëndë të nënës me tre fëmijë që u mbytën në ujërat e lumit Buna, vijojnë ende hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie të familjes Arrazi…
Hetimet të thelluara tha drejtori Sulaj po vijojnë edhe për dy ngjarje të rënda të mëparshme siç është atentati ndaj efektivit Gjergj Ndërshtiqaj për të cilën grupi hetimor ka dijeni për autorët e dyshuar por problem mbetet dokumentimi i ngjarjes. Po ashtu në hetime të thelluara është edhe vendosja e tritolit ndaj gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj. Policia ka siguruar lëvizjet e autorit në qytet por kudo është i maskuar duke mos arritur ende që të identifikohet…
Policia e Shkodrës vendosi një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që jep informacion lidhur me autorin që vendosi tritolin në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj por për shkak të anonimatit, drejtori Sulaj nuk tregoi se sa telefonata mund të jenë bërë deri më tani në këto dy javë nga momenti kur ndodhi shpërthimi. Policia përfundoi drejtori Sulaj është e vendosur për të zbardhur çdo ngjarje kriminale dhe për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e dyshuar.