Spartak Ngjela

Erdhi koha për të folur drejtpërsëdrejti në lidhje me politikën e politikës së dhunës agresive që ndërmori ish opozita në gjashtë muajt e parë të vitit 2019.

Para së gjithash, duhet theksuar se gjykimi thelbësor i kësaj ndodhie agresive ishte antiamerikanizmi…

l.
Që të arrish ta kuptosh një ngjarje ashtu siç ajo është në të vërtetë, asaj duhet t’i gjesh emrin. Dhe mos mendoni se ngjarjes mund t’i vihet një emër çfardo: asaj i duhet gjetur emri që krijon konceptimin e arsyes se ardhjes së saj.

Ne, ngjarjen e gjatë të dhunës gjashtmujore të opozitës jashtparlamentare, më lart e kemi quajtur antiamerikanizëm.

Gjithashtu, ajo ishte edhe një dhunë antishqiptare që arriti kulmin me dekretin kriminal të Ilir Metës, i cili u shfaq para opinionit publik tamam në kohën kur Meta mendoi se do të ndizej zjarri që do të digjte Shqipërinë. Por dekreti u shfry nga shqiptarët si një flluskë sapuni, sepse më parë, politika amerikane me forcën e saj, i shkatërroi përfundimisht krerët e hordhisë korruptive që donin të digjnin Shqipërinë në 30 qershor.

ll.
Po cili ka qenë shkaku kryesor, ai që e hodhi në antiamerikanizëm këtë opozitë? Shkaku është vetëm një: reforma në drejtësi dhe kushtetuta e re shqiptare, ku mbështetet ajo reformë.

Por, tani dihet si fakt historik që edhe kushtetutën e re, edhe reformën në drejtësi në Shqipëri e drejtoi dhe e strukturoi juridikisht politika amerikane, me anë të forcës. Dhe këtu ka një specifikë parësore: reforma në drejtësi është formuluar specialisht për të shkatërruar korrupsionin në politikën e lartë shqiptare.

Pikërisht këtu filloi reaksioni i korrupsionit të lartë shqiptar që mendoi të mundte politikën amerikane në Tiranë me destabilizimin e Shqipërisë. Ndërsa kjo tani është shuar, kurse shqiptarët po presin të shohin me sytë e tyre të vërtetën për grabitjen që iu është bërë.

Duhet të jemi të qartë për një gjë: nga forca e ligjeve që janë tani në fuqi për reformën në drejtësi, kuptohet qartë se ajo që pritet të ndodhë në Shqipëri, me goditjen që do të japë Reforma, është një risi në goditjen e krimit shtetëror në rrafsh europian.

Asnjë vend tjetër europian nuk ka pasë kaluar në një reformë si kjo që ka nisur në Shqipëri me forcën e politikës amerikane dhe me ekspertizën e nevojshme të Bashkimit Europian.

lll.
Reforma shqiptare që ka filluar, në fakt, do të ketë në përmbajtjen e saj të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Duhet të kuptohemi qartë se bota shqiptare në të gjithë Ballkanin aktual është ajo që do të ketë jetë të re, pasi të mbarojë reforma kundër korrupsionit të lartë politik dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Bashkimi i shqiptarëve do të jetë risi për Ballkanin. Kjo ka shqetësuar edhe Moskën, edhe Beogradin. Brenda këtij bashkimi do të qëndrojë riformimi i Arbërisë se Re, me territore tani të pushtuara nga fqinjët. Keni për ta parë.

lV.
Pikërisht këtu, te ky bashkim, qëndron frika greko-serbo-ruse, por askush nuk mund ta ndalojë këtë ngjarje historike. Dhe këtu janë edhe lidhjet e shpresës midis korrupsionit të lartë politik dhe Moskës e Beogradit.

Dy shtetet shqiptarë në Ballkanin Perëndimor janë kuptimplotë për të ardhmen e bashkimit shqiptar të 8 milionë shqiptarëve.

Është shpëtimi i shqiptarëve nga abuzimi nëqindvjeçar i krerëve politik të tyre, që i bashkon shqiptarët në një reformë shqiptare transballkanike. Keni për ta parë, se, gjithmonë në historinë tonë, korrupsioni i lidershipit shqiptar ka qenë vetë tragjedia e gjatë shqiptare.

Por tani ky lidership është në grahmat e fundit. Për këtë jam i sigurt.
Shekspiri do ta kishte shkruar kështu këtë kohë, nëse do t’i qëndrojmë disa vargjeve të përshtatura nga Hamleti i tij i famshëm:

Le të ikë i mërzitur derri;
Le të shkojë e brengosur dhia,
Shqiptarët flenë, këta po i ha vreri;
Kështu na qenka bota njerëzia…

Artikulli paraprakTATIMET: JA SI TAKSOHEN PRONAT QË LËSHOHEN ME QIRA
Artikulli tjetërBASHA FLET PAS MARRJES NË PYETJE NGA PROKURORËT BELGË: DHASHË PROVA TË PLOTA! BALLA DUHET TË ISHTE NË PRANGA