Edhe pse ngrohja në shkollat e qytetit si dhe njësitë administrative duhet të kishte filluar që nga 15 nëntori, bashkia Shkodër mesa duket është shumë kohë me vonesë.

Kanë kaluar 17 ditë nga afati i parashikuar, ndërsa situata në të gjitha shkollat 9-vjeçare është pothuajse e njëjtë. Ngrohja në shkollën Ali Laçej, ku zhvillojnë mësim rreth 250 nxënës është tejet problematike. Drejtues të këtij institucioni mësimor bëjnë me dije se kaldaja nuk është funksionale, ndërsa bashkia deri tashmë nuk ka bërë të mundur furnizimin me naftë. Një shqetësim i tillë u bë publik edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga këshilltarja Brisela Kadia, njëkohësisht drejtoreshë e kësaj shkolle. E njëjtë është situata në shkollën “Martin Camaj”, ku ngrohja mungon, pavarësisht se përfaqësues të kësaj shkolle pretendojnë se e kanë kërkuar prej kohësh një shërbim të tillë. Në shkollën “Edith Durham”, sistemi i ngrohjes i ndërtuar para dy vitesh është totalisht jashtë funskionit, ndërsa pak ditë më parë ka filluar furnizimi me gaz të lëngshëm. Në shkollën 9-vjeçare “Skënderbeg” dhe shkollën “Dëshmorët e Prishtinës” ngrohja bëhet vetëm në disa klasa përmes gazit të lëngshëm. Ky fakt pranohet nga drejtues të shkollës, por edhe nga nxënësit. Ndërkohë, specialistë pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale i thanë Star Plus se situata është tejet problematike për mijëra nxënës në qytet dhe njësitë administrative. Sipas tyre, është detyrim ligjor i bashkisë Shkodër që të sigurojë ngrohjen në të gjitha shkollat. Gjatë këtij procesi, DAR ka vetëm rolin e mbikëqyrësit. Nga ana tjetër, përfaqësues të zyrës së arsimit në bashki thanë jashtë kamerave se po vijon furnizimi në të gjitha shkollat e qytetit dhe njësive administrative. Sipas tyre ka nisur furnizimi me dru në ato shkolla që e sigurojnë ngrohjen përmes lëndës drusore dhe me naftë në disa shkolla dhe kopshte të qytetit. Gjatë një deklaratë të dhënë kohë më parë në Star Plus, përfaqëues të bashkisë Shkodër deklaruan se procesi i ngrohjes në shkolla mbyllet brenda nëntorit, por mesa duket edhe ky afat nuk është respektuar. Situata në terren është krejt ndryshe, pasi deri tashmë ngroja ka filluar vetëm në ambiente të caktuara dhe vetëm me gaz të lëngshëm. Aktualisht bashkia Shkodër ka në juridiksionin e saj 109 institucione arsimore me 332 ambiente mësimore, në të cilat ka detyrim të sigurojë ngrohjen. Ndërkohë, me fillimin e muajit dhjetor është shelur çdo afat i përcaktuar por edhe i premtuar nga vetë bashkia, ndërsa procesi i plotë nuk dihet se kur do të përfundojë.

Artikulli paraprakGATI FABRIKA E RE E PËRPUNIMIT TË DUHANIT
Artikulli tjetërVISHAJ: SITUATË E RËNDË ME BLLOKIMIN E VETTINGUT