Dy familjet Bushi në Laç janë ngujuar pas vrasjes së dy kushërinjve Jushi mbrëmjen e së dielës. Vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi dhe kushëriri i tyre i parë, Vinçensk Bushi vranë me armë zjarri pas një debati dy kushërinjtë Erjon dhe Kelvin Jushi.
Dy ditë pas ngjarjes tre të rinjtë u dorëzuan në komisariatin e policisë së Laçit pas negocimit të familjarëve. Por, menjëherë pas ngjarjes familjet Bushi, të dy vëllezërve dhe kushëririt të tyre u janë nënshtruar rregullave zakonore duke u ngujuar në banesë nga frika e hakmarrjes.
Si ndodhi ngjarja dhe shkaku
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 20:15 në lagjen nr. 1 në qytetin e Laçit. Sipas policisë konflikti ka qenë i çastit, dhe shkak ka qenë vëllai i vogël i Markel Bushit, Manueli i cili pas grindjes me dy kushërinjtë mori në telefon vëllanë e madh dhe kushëririn e tij Vinceskun.
Pas sherrit të nisur brenda në lokal, dy palët më pas kanë dalë jashtë për t’u sqaruar, konflikti ka agravuar dhe duke parë që autorët kishin armë me vete, dy kushërinjtë u larguan me vrap. Por, autorët i kanë ndjekur për rreth 100 metra Kelvin dhe Erion Jushin dhe i kanë qëlluar disa herë me pistoletë.
Njëri nga dy kushërinjtë është qëlluar në hyrjen e një pallati në tentativë për të ikur, ndërsa tjetri në rrugë. Plumbat i kanë kapur disa herë ne trup kushërinjtë. Ata u dërguan në gjendje të rëndë për jetën në një spital privat në Tiranë për ndihmë të specializuar por ndërruan jetë si pasojë e plagëve që morën.
Po sipas dëshmitarëve, policia ka shkuar 20 minua me vonesë në vendin e ngjarjes, edhe pse komisariati me lokalin ndodheshin shumë pranë. Shqiptarja.com zbardhi edhe të kaluarën kriminale të Markel dhe Vincesk Bushit. Ndërkohë që Kelvin Jani kishte një lokal në qytetin e Laçit.
Ai bashkë me kushëririn e tij, djalin e xhaxhait, njiheshin si njerëz të qetë, ndërsa lokali ku nisi debati frekuentohej nga persona me precedent.