Një tragjedi dhe një shpërthim kanë prekur institucionet e kultit në dy vende të ndryshme si Nigeria dhe Egjipti.
Në Uyo të juglindjes së Nigerisë, shembja e çatisë së kishës ka lënë të paktën 60 persona të vdekur, të cilët ndiqnin predikimin e një peshkopi. Disa raportime flasin për më shumë të vdekur, pasi shumë njerëz besohet të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Sipas dëshmitarëve, qindra persona ndodheshin brenda kishës “Reigners Bible”, përfshi edhe guvernatorin e shtetit Akwa Ibom, Udom Emmanuel, i cili i ka mbijetuar fatkeqësisë. Kisha ishte ende nën konstruksion, ndërsa punonjësit thuhet se kanë nxituar ta përfundojnë atë enkas për këtë predikim. Emmanuel njoftoi nisjen e një hetimi në lidhje me përmbushjen apo jo të standardeve të sigurisë. Reagoi gjithashtu edhe presidenti Muhammadu Buhari, i cili shprehu pikëllimin e tij të thellë për incidentin. Ndërkohë, në Katedralen koptike të Kajros janë shënuar 5 viktima si pasojë e një shpërthimi të ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 10 me atë lokale. Të paktën 10 të tjerë janë plagosur, e tashmë janë transportuar për në spital me autoambulanca. Mediet lokale raportojnë se në vendngjarje ka shkuar edhe shefi i Sigurisë së Kajros, Khalid Abdel Aal, për të inspektuar atë çfarë ka mbetur. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet. Koptët e krishterë përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Egjiptit.