Niko Peleshi tashmë është zyrtarisht ministër i Mbrojtjes, pas ceremonisë solemne të mbajtur, ku Olta Xhaçka i dorëzoi detyrën e re ish-zv. kryeministrit.
Peleshi, në fjalën e tij përpara ushtarakëve të lartë, deklaroi se do të kryer detyrën e tij me atdhedashuri, kurse shtoi se ai dhe ekipi i tij do të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë sa më pranë BE-së dhe NATO-s.
“E nderuar ministre , e dashur Olta. Të nderuar gjeneralë dhe deputetë, ateshe, të ftuar e pjesëmarrës. Detyra e ministrit të Mbrojtjes është që t’i kontribuosh paqes, të promovosh lirinë, të përmbushësh detyrimet që kemi si vend aleat i NATO-s.
Do ta kryej këtë detyrë me atdhedashuri. Përshëndes djemtë dhe gratë e Forcave të Armatosura. Ju keni treguar se keni aftësi, të denjë për një anëtar të NATO-s. Sot përulem para ushtarakëve që ranë në misionet tona paqeeruajtëse, ne jemi përkrah aleatëve, sidomos SHBA-ve”, tha Peleshi.
Niko Peleshi vlerësoi punën e kryer nga zonja Xhaçka në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, duke shtuar se do të bëjë gjithçka të afrojë Shqipërinë sa më pranë NATO-s dhe aleatëve të saj strategjikë.
“Shqipëria do të vazhdojë të jetë eksportues i sigurisë në botë. Ministrja dhe bashkëpunëtorët e saj hapën Akademinë e Forcave të Armatosura, institucion unik i Arsimit të Lartë. Jam në dijeni se ka nisur realiteti me NATO-n për Pashalimanin. Kjo çështje do ndiqet me kujdes. Ne do punojmë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, u shpreh Peleshi.