Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e grupit të miqësisë me Shqipërinë të Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, të kryesuar nga Dr. Fayez bin Abdullah Al Shahri, Kryetar i grupit. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Arabisë Saudite në Shqipëri, z. Faisal Ghazi Ismail Hifzi.

Kryetarja Nikolla i falenderoi miqtë nga Asambleja Konsultative e Arabisë Sauditee dhe vlerësoi kontributin e grupit të miqësisë në forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe dypalësh. Znj. Nikolla nënvizoi se Shqipëria dhe Arabia Saudite kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë konkretizuar edhe në vizita të nivelit të lartë, dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e Arabisë Saudite në përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe të pandemisë si edhe vlerësoi kontributin e Fondit Saudit për Zhvillim në përmirësimin e infrastrukturës dhe sistemit rrugor në Shqipëri dhe ndihmën në sektorë të tjerë.

Kryetarja Nikolla vlerësoi njohjen nga Mbretëria e Arabisë Saudite të Kosovës dhe mbështetjen e rolit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Znj. Nikolla vuri në dukje se bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite në nivel të grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare, deputetëve dhe vizitave të nivelit të lartë do të nxisë marrëdhëniet midis vendeve tona në sektorët e zhvillimit ekonomik, mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve, infrastrukturës, mjedisit, turizmit etj. Kryetarja Nikolla ftoi Kryetarin e Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, z. Abdullah ibn Muhammad Al ash-Sheikh, për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i grupit të miqësisë, Dr. Fayez bin Abdullah Al Shahri, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e bashkëpunimit parlamentar dhe dypalësh mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite dhe vuri në dukje gjatë kësaj vizite shumë të sukseshme në Shqipëri grupi parlamentar i miqësisë shprehu angazhimin të mbështesë e promovojë bashkëpunimin parlamentar, bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh dhe miqësinë mes dy popujve.

Artikulli paraprakPARA APO MBAS KAFESË? KUR DUHET TË PINI UJË
Artikulli tjetërNIKOLLA: REFORMA ZGJEDHORE DO TË JETË PRIORITET I KËTIJ SESIONI TË RI PARLAMENTAR