Shkodra ka hapur dyert në Kinema Republika pasi qëndroi për disa kohë e mbyllur për shkak të një rikonstruksioni, për edicionin e 7-të të festivalit “Ekrani i Artit”. Organizatori i këtij festivali ndërkombëtar të filmit Adrian Paci vlerëson hapjen e kinemasë duke qenë se hapësira publike në Shqipëri gjithë këto vite sipas tij është dëmtuar shumë.

Paci tha se sot nuk jetojmë në një botë festive përsa kohë në botë vijon një luftë e ashpër në Palestinë dhe arti ndjen pamundësinë për të dhënë një kontribut në zonën e egër të luftës.

Nën titullin “Solitude and Multitude” filmat e edicionit të sivjetshëm eksplorojnë këto skaje të pandashme të ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti tentojnë që të bëhen bashkë.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci tha se puna për rikonstruksionin e kinemasë si një hapësirë publike e ridimensionuar do të vijojë.

Festivali i filmit “Ekrani i Artit” nisi më 5 qershor dhe do të vijojë deri më 9 qershor duke mirëpritur filma të shkurtër, video art, dokumentar, ekspozita e punime nga artistë të ndryshëm që nuk do të shfaqen vetëm në Kinemanë e Shkodrës por edhe në disa hapësira të tjera publike me një peshë kulturore e historike.

Artikulli paraprakAUTOBUSI KËPUT TELAT ELEKTRIK, RREZIK PËR KALIMTARËT
Artikulli tjetërINDUSTRIA USHTARAKE, NIKO PELESHI: KËRKESA PËR MUNICION NË BOTË E MADHE!